Agjencia Për Mbështetjen e Vetqeverisjes Vendore

Ndryshimet klimatike po rrisin çdo vit rrezikun e zjarreve, duke e bërë mbrojtjen e pyjeve dhe sigurinë e komuniteteve një prioritet kombëtar. Në këtë kuadër, Ministria e Pushtetit Vendor, nëpërmjet Akademisë së Pushtetit Vendor, po zhvillon trajnime të dedikuara për administratën vendore me qëllim forcimin e njohurive dhe aftësive praktike për parandalimin dhe menaxhimin efektiv të zjarreve.
Përmes këtyre trajnimeve po rriten kapacitetet parandaluese dhe ndërhyrëse të strukturave vendore, duke garantuar reagim më të shpejtë dhe më efikas në rastet e emergjencave. Paralelisht, po punohet për ndërgjegjësimin e qytetarëve, pasi mbrojtja e pyjeve dhe mjedisit fillon nga vetë komuniteti.
Ministri theksoi se bashkëpunimi ndërmjet qeverisë qendrore, pushtetit vendor dhe qytetarëve është çelësi për ndërtimin e një Shqipërie më të sigurt, më të gjelbër dhe më të qëndrueshme.