Agjencia Për Mbështetjen e Vetqeverisjes Vendore

Më 3 shtator 2025 u zhvillua online mbledhja e gjashtë e Këshillit Konsultativ mes Qeverisë Qendrore dhe Vetëqeverisjes Vendore, e bashkëkryesuar nga Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, z. Arbjan Mazniku, dhe Kryetari i Shoqatës së Këshillave të Qarqeve, z. Aldrin Dalipi

Në hapje, u theksua rëndësia e dy projektakteve normative që synojnë forcimin e kontrollit mbi ndërtimet dhe disiplinimin e zhvillimit të territorit, të cilat pritet të miratohen nga Këshilli i Ministrave në vijim

Gjatë mbledhjes u prezantua projektakti “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin nr. 8402, datë 10.9.1998, ‘Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit’”, i cili parashikon rritjen e përgjegjësisë së subjekteve ndërtuese dhe arkitektëve, forcimin e rolit të autoriteteve të kontrollit dhe vendosjen e detyrimeve të reja për monitorimin elektronik të punimeve. Po ashtu, u diskutua projektakti “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin nr. 107/2014, ‘Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit’”, ku ndër risi janë krijimi i një regjistri kombëtar online të lejeve të ndërtimit dhe zhvillimit, futja e konceptit të “listës së zezë” për shkelësit e ligjit, si dhe mbrojtja më e fortë e hapësirave publike.

Kryetarët e bashkive dhe përfaqësuesit vendorë sollën një sërë komentesh dhe propozimesh mbi kostot financiare, çështjet e konfliktit të interesit dhe nevojën për harmonizimin e legjislacionit me praktikat vendore. Në përfundim, u vendos që të gjitha sugjerimet dhe vërejtjet e pushtetit vendor të përcillen pranë institucioneve propozuese për t’u reflektuar në projektaktet përfundimtare.