Agjencia Për Mbështetjen e Vetqeverisjes Vendore

Në kuadër të përpjekjeve për të ndërtuar një sektor bujqësor të qëndrueshëm dhe konkurrues, u zhvillua aktiviteti “Dialogu për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural”, me pjesëmarrjen e Ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor, Z. Arbjan Mazniku, fermerëve dhe sipërmarrësve model nga zonat rurale të Shqipërisë.

Ky dialog synoi të krijojë një hapësirë të hapur komunikimi për të dëgjuar drejtpërdrejt sfidat, nevojat dhe idetë e aktorëve të terrenit, si dhe për të forcuar bashkëpunimin ndërmjet tyre dhe institucioneve përgjegjëse. Në fokus të diskutimeve ishin zhvillimi rural gjithëpërfshirës, rritja e kapaciteteve prodhuese dhe përmirësimi i mekanizmave mbështetës për bujqësinë.

Aktiviteti u zhvillua në funksion të realizimit të vizionit “Shqipëria 2030”, dhe në përputhje me objektivat strategjikë të procesit të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian. Dialogu theksoi rëndësinë e bashkëpunimit institucional dhe të pjesëmarrjes aktive të komunitetit rural në hartimin dhe zbatimin e politikave zhvillimore.