Agjencia Për Mbështetjen e Vetqeverisjes Vendore

Më datë 26 qershor 2025, Agjencia për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore, në bashkëpunim me projektin EU4 Good Governance, zhvilloi në Shkodër takimin konsultues për Udhërrëfyesin për pjesëmarrjen e publikut në qeverisjen vendore në Shqipëri. Ky udhërrëfyes synon t’u ofrojë bashkive një instrument praktik dhe gjithëpërfshirës për zbatimin e ligjit për konsultimin dhe informimin publik, duke i orientuar drejt praktikave më të mira dhe duke i fuqizuar në përmbushjen e rolit të tyre si institucione transparente, llogaridhënëse dhe përfaqësuese të interesave të komuniteteve që u shërbejnë.

Në takim morën pjesë përfaqësues nga bashkitë Bulqizë, Klos, Pukë, Dibër, Malësi e Madhe, Has, Mirditë, Mat, Vau i Dejës, Kurbin, Lezhë, Shkodër dhe Kukës. E pranishme në takim ishte edhe znj. Marie Augouy, përfaqësuese e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, e cila në fjalën e saj theksoi rëndësinë e konsultimit publik si një komponent thelbësor i transparencës, llogaridhënies dhe pjesëmarrjes qytetare, shtylla themelore të Bashkimit Evropian, të cilat marrin një rëndësi të veçantë në kontekstin e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë.