Agjencia Për Mbështetjen e Vetqeverisjes Vendore

Më datë 30 qershor, Agjencia për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore, me mbështetjen e Helvetas Shqipëri, zhvilloi në Tiranë aktivitetin zyrtar të nisjes së projektit Matra G2G “Drejt qeverisjes lokale demokratike: Shqipëria dhe Holanda”, një iniciativë dypalëshe që synon të forcojë kapacitetet e qeverisjes vendore në Shqipëri, përmes rritjes së cilësisë së ofrimit të shërbimeve publike në mënyrë gjithëpërfshirëse, transparente dhe me llogaridhënie.

Takimi u hap nga Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, z. Arbjan Mazniku, dhe u zhvillua në prani të përfaqësuesve të institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare, me prezencë të Ambasadorit të Mbretërisë së Holandës në Shqipëri, përfaqësues të MEKI, AKSHI, ASPA, SHKBSH, SHKQSH, përfaqësues të bashkive Elbasan, Kavajë dhe Korçë, si dhe projekteve ndërkombëtare me fokus në pushtetin vendor.

Projekti synon të mbështesë ndërtimin e një shoqërie demokratike dhe funksionale përmes forcimit të institucioneve vendore dhe ngritjes së kapaciteteve në nivel lokal, me fokus te ofrimi i shërbimeve më të mira për qytetarët, veçanërisht për gratë dhe grupet më të cenueshme të shoqërisë. Në këtë kuadër, projekti do të kontribuojë edhe në fuqizimin e Akademisë së Trajnimit të Njësive të Vetëqeverisjes Vendore të Shqipërisë (TALGA).

Zbatimi i projektit do të përfshijë trajnimin e trajnerëve, organizimin e 24 seminareve në të gjitha bashkitë e vendit, si dhe mbështetje praktike në katër bashki pilot: Shkodër, Kavajë, Elbasan dhe Korçë. Fushat kryesore ku përqendrohet ndërhyrja përfshijnë qeverisjen digjitale, zhvillimin ekonomik lokal, integritetin dhe luftën kundër korrupsionit, si dhe barazinë gjinore dhe përfshirjen sociale.

Projekti zbatohet nga një konsorcium i përbërë nga Akademia e Hagës për Qeverisje Lokale, Helvetas Shqipëri dhe VNG International, me financim nga Ministria e Punëve të Jashtme të Holandës, dhe do të zgjasë deri në fund të vitit 2028. Ai synon të nxisë përmirësime të qëndrueshme në administratën vendore dhe të rrisë besimin e qytetarëve te institucionet publike.

Në vijim të eventit prezantues, u zhvillua gjithashtu mbledhja e parë e Komitetit Drejtues të projektit, gjatë së cilës u prezantuan objektivat e projektit dhe plani i punës.