Agjencia Për Mbështetjen e Vetqeverisjes Vendore

Në takimin mes Z.Arbjan Mazniku, Ministër i Shtetit për Pushtetin Vendor, Z. Thierry Repentin Kryetari i Bashkisë së Chambéry, Francë, ish-Ministër për Europën  dhe Znj. Odeta Barbullushi, Professor, Kolegji Evropian, Tiranë njëherazi ish Zv/Ministër e Punëve të Jashtme të Shqipërisë,  u zhvillua një panel me temë “Dialogu Evropian për Zhvillimin Rajonal dhe Kohezionin”, ku u theksua rëndësia e bashkëpunimit në nivel vendor si mënyra më e mirë për të garantuar suksesin e procesit të Integrimit Evropian.

Duke pasur parasysh se 70% e legjislacionit të Bashkimit Evropian zbatohet në nivel vendor, forcimi i kapaciteteve të autoriteteve vendore është një prioritet i rëndësishëm. Me krijimin e Zyrave të Integrimit në bashki, trajnimin e stafit dhe përfshirjen aktive të bizneseve vendore, po ndërtohen themelet që procesi i Integrimit Evropian të ndikojë drejtpërdrejt në jetën e qytetarit dhe në zhvillimin e komuniteteve në përditshmërinë e tyre.

Ky angazhim i përbashkët mes institucioneve vendor dhe partnerëve ndërkombëtarë është thelbësor për të avancuar në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Duke fuqizuar nivelin vendor, sigurohet një integrim më efektiv, ku qytetarët përfitojnë drejtpërdrejt nga politikat dhe projektet Evropiane, duke e bërë kështu integrimin një proces gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm.