Agjencia Për Mbështetjen e Vetqeverisjes Vendore

Më 17 qershor 2025, në ambientet e Kryeministrisë u mbajt mbledhja e Grupit të Punës për miratimin e treguesve të Sistemit të Matjes së Performancës së njësive të vetëqeverisjes vendore për vitin 2024. Takimi u drejtua nga Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Z.Arbjan Mazniku, i cili theksoi rëndësinë e këtij procesi për forcimin e qeverisjes vendore. Ai nënvizoi se ky ushtrim ka rezultuar i dobishëm dhe këtë vit synohet të përmirësohet më tej, duke reflektuar ndryshimet e propozuara.

Gjatë mbledhjes, Drejtori i Përgjithshëm i Komanduar i AMVV, Z.Stiljan Llavdaniti, prezantoi listën me 52 tregues të propozuar, nga të cilët 31 mbeten të pandryshuar dhe 21 janë tregues të rinj, të ndarë sipas fushave: arsim, bujqësi, pyje dhe kullota, mbrojtje nga zjarri, menaxhim mbetjesh, mbrojtja sociale, burime njerëzore, mirëqeverisje, integrim evropian, barazi gjinore dhe financa.

Pjesëmarrësit diskutuan gjerësisht për përmirësimin e treguesve, qartësimin e formulimeve dhe përshtatjen e tyre me kapacitetet reale të bashkive, me synim krijimin e një sistemi matjeje që të jetë funksional dhe i krahasueshëm në kohë.

Në përfundim, anëtarët e grupit të punës ranë dakord që treguesit të shqyrtohen sërish në detaje për të përgatitur listën përfundimtare që do të përdoret në Sistemin e Menaxhimit të Performancës (SMP).