Agjencia Për Mbështetjen e Vetqeverisjes Vendore

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor z. Arbjan Mazniku bashkë me kryetarët e bashkive mori pjesë në mbledhjen për të diskutuar mbi vijimësine e punës për zbatimin e projektudhëzimit të Paketës së Maleve, një nismë e rëndësishme që synon të nxitë zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe turistik në zonat më të thella dhe malore të vendit. Kjo paketë ka për qëllim të fuqizojë njësitë vendore përmes mbështetjes së drejtpërdrejtë për investime që përmirësojnë jetën ekonomike dhe sociale të banorëve.

Gjithashtu u diskutua mbi përzgjedhjen e zonave që plotësojnë kushtet për të përfituar nga kjo nismë. U analizuan gjithashtu prioritetet e investimeve, si dhe nevoja për bashkëpunim të ngushtë ndërinstitucional, me qëllim garantimin e zbatimit efikas të projekteve në terren.

Kjo qasje synon të krijojë një model zhvillimi rural që jo vetëm ndalon shpopullimin e zonave malore, por i kthen ato në hapësira të qëndrueshme për banim, punësim dhe turizëm.