Agjencia Për Mbështetjen e Vetqeverisjes Vendore

Mbledhja e parë e grupit ndërinstitucional të punës u hap nga Kryetari i grupit, Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Z. Arbjan Mazniku, i cili theksoi rendësinë e këtij takimi për ngritjen e Akademisë së Pushtetit Vendor si një nga nevojat më emergjente të pushtetit vendor. Z.Mazniku solli në vëmendje se pas takimeve me 61 bashkitë në kuadër të “Dialogut Vendor”, dy prej problematikave më thelbësore të identifikuara në strukturat e pushtetit vendor janë mungesa e kapaciteteve njerëzore në disa prej bashkive të vendit si dhe mungesa e kualifikimit, e cila do të kërkojë një analizë më të thelluar të mënyrës se si do të adresohet. Z. Mazniku theksoi angazhimin e Qeverisë Shqiptare për rishikimin e nivelit të pagave për bashkitë, veçanërisht për strukturat që kërkojnë funksione të specializuara si zyrat e financave, urbanistikës dhe ato ligjore. Përsa i përket ngritjes së Akademisë së Pushtetit Vendor, theksoi nevojën për ngritjen e një strukture permanente e cila do të ofrojë trajnime sistematike për stafet që kryejnë procedura teknike, procedura bazike pune si dhe funksione specifike. Në përfundim të fjalës së tij, Z.Mazniku kërkoi angazhimin e palëve në këtë proces, i cili duhet të fillojë me problemet dhe nevojat që janë evidentuar gjatë kësaj periudhe. Grupi Ndërinstitucional i Punës miratoi strukturën për hartimin e Green Paper dhe ngarkoi ekipin e ekspertëve për hartimin e këtij dokumenti brenda afateve të përcaktuara në planin e punës.