Agjencia Për Mbështetjen e Vetqeverisjes Vendore

1. Bashkimi Evropian për Mirëqeverisje (EU 4 Good Governance)

Objektivi specifik i projektit “BE për Mirëqeverisje” është “përmirësimi i administratës publike për ta bërë atë më efikase, të përgjegjshme, transparente, gjithëpërfshirëse dhe efektive në nivel kombëtar dhe lokal”. Projekti përbëhet nga katër komponentë, ku komponenti i tretë është dedikuar mirëqeverisjes në pushtetin vendor në Shqipëri dhe ka si partner Ministrin e Shtetit për Pushtetin Vendor dhe Agjencinë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore (AMVV).

Komponenti 3: Mbështetje për Vetëqeverisjen Vendore

I. Projekti i BE-së

Projekti i financuar nga Bashkimi Evropian për Mirëqeverisjen (EU4GG) përqendrohet në prioritetet e mëposhtme për të fuqizuar rolin e bashkive në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE:

  • Rritja e kapaciteteve të bashkive për të marrë dhe për të kryer rolin kyç që u është caktuar në kuadër të procesit të integrimit dhe anëtarësimit në BE;
  • Mbështetja e bashkive për të zbatuar kompetencat e tyre të parashikuara nga Strategjia Ndërsektoriale për Decentralizimin dhe Qeverisjen Vendore 2023 – 2030;
  • Krijimi i mekanizmave që lehtësojnë Ligjin për dialogun mes bashkive dhe komuniteteve të tyre;
  • Krijimi i mekanizmave për fuqizimin e bashkëpunimit mes bashkive;
  • Fuqizimi i bashkive dhe OSHC-ve për të identifikuar dhe hartuar projekte që synojnë rritjen e mirëqenies së qytetarëve;
  • Rritja e dialogut ndërmjet bashkive dhe institucioneve qendrore.

II. Bashkëpunëtorët dhe përfituesit

Projekti i financuar nga Bashkimi Evropian për Mirëqeverisjen (EU4GG) punon në bashkëpunim me Ministrin e Shtetit për Pushtetin Vendor dhe Agjencinë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore (AMVV). Përfitues të projektit janë gjashtë bashki pilot, përkatësisht Shkodër, Berat, Pogradec, Pukë, Përmet dhe Divjakë, si dhe shoqëria civile.

Link: Udhërrëfyes për pjesëmarrjen e publikut në qeverisjen vendore në Shqipëri

2. Projekt i OSCE

Objektivat e Projektit

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ofron programe njëvjeçare bazuar në prioritetet e qeverisë. Gjatë periudhës raportuese, si dhe për vitin 2024, projekti është duke zbatuar programin Kapitali Natyror i bashkive, i cili ka për qëllim shpërndarjen e njohurive për zhvillimin e Vlerësimit të Kapitalit Natyror të bashkive si dhe forcimin e kapaciteteve teknike në nivel lokal.

Komponentët e projektit:

  • Mbështetje për përgatitjen e një manuali për vetëpërdorim dhe zbatimin e Metodologjisë së Kapitalit Natyror në nivel vendor;
  • Trajnimi i specialistëve teknikë vendas për zbatimin e vlerësimit të kapitalit natyror sipas Metodologjisë;
  • Mbështetje për Shoqatën për Autonomi Lokale për të ndarë dhe zgjeruar praktikat e mira mbi Kapitalin Natyror në nivel lokal.

3. Projekti Bashkitë për në Evropë (Municipalities for Europe)

Objektivat e Projektit

  • Përfundimi i procesit të krijimit të Njësive të Integrimit, si pjesë përbërëse e strukturës organizative të Bashkive;
  • Rishikimi i procedurave për funksionimin dhe punën e përditshme të Njësive të Integrimit Evropian;
  • Mbështetje e Njësive të Integrimit, për përmirësimin e sistemit të raportimit;
  • Forcimi i kapaciteteve të stafit të Njësive të Integrimit Evropian, për informimin e kolegëve mbi politikat e BE-së dhe procesin e negociatave;
  • Vizita studimore dhe seminare të organizuara nga Bashkitë për Evropën, si dhe përmes bashkëpunimit me programin TAIEX.

Komponentët e Projektit:

  • Ngritja e kapaciteteve të bashkive;
  • Performanca e bashkive në procesin e integrimit evropian;
  • Informacion dhe akses në fondet e BE-së;
  • Trajnim;
  • Komunikimi dhe shpërndarja e informacionit.