Agjencia Për Mbështetjen e Vetqeverisjes Vendore

Në kuadër të zbatimit të mekanizmit të Grantit të Bazuar në Performancë (GBP) 2026 dhe procesit të raportimit të Sistemit të Matjes së Performancës (SMP) 2025, Agjencia për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore (AMVV) organizoi tre trajnime rajonale me përfaqësues të njësive të vetëqeverisjes vendore.

Trajnimet u zhvilluan në datat:

  • 30 qershor 2026 – Lezhë
  • 1 korrik 2026 – Elbasan
  • 2 korrik 2026 – Fier

Në këto aktivitete morën pjesë përfaqësues të bashkive nga rajonet përkatëse, përfshirë drejtues vendorë, koordinatorë të performancës, si dhe përfaqësues të strukturave përgjegjëse për buxhetin, financat dhe ofrimin e shërbimeve vendore.

Gjatë trajnimeve u prezantua mekanizmi i Grantit të Bazuar në Performancë (GBP) 2026, duke u trajtuar në mënyrë të detajuar komponentët e grantit, kriteret e vlerësimit dhe procedurat e aplikimit. Gjithashtu, u diskutua lidhja ndërmjet GBP 2026 dhe Sistemit të Matjes së Performancës (SMP) 2025, me fokus treguesit e rinj të përfshirë në mekanizëm dhe rolin e tyre në vlerësimin e performancës së bashkive.

Pjesëmarrësve iu prezantuan ndryshimet dhe shtesat në treguesit e SMP 2025, si dhe metodologjia e re për raportimin e tyre. Në mënyrë të veçantë, u dhanë sqarime mbi burimet e të dhënave, institucionet përgjegjëse për raportim dhe mënyrën e plotësimit të kërkesave të përcaktuara.

Një pjesë e rëndësishme e trajnimeve iu kushtua diskutimit të problematikave të hasura gjatë procesit të raportimit të SMP 2024 dhe ndarjes së rekomandimeve për përmirësimin e cilësisë, saktësisë dhe plotësisë së të dhënave të raportuara nga bashkitë.

Gjatë sesioneve praktike, pjesëmarrësit u përfshinë në diskutime mbi raste konkrete, duke marrë sqarime lidhur me interpretimin e treguesve të performancës, dokumentacionin mbështetës dhe kërkesat metodologjike të raportimit. Gjithashtu, u adresuan pyetjet dhe komentet e përfaqësuesve të bashkive lidhur me zbatimin e kritereve të Grantit të Bazuar në Performancë dhe procesin e raportimit të të dhënave.

Në përfundim të ciklit të trajnimeve, përfaqësuesit e bashkive u pajisën me informacionin dhe udhëzimet e nevojshme për zbatimin e kërkesave të reja të GBP 2026 dhe raportimin e SMP 2025, duke kontribuar në forcimin e kapaciteteve institucionale të njësive të vetëqeverisjes vendore dhe në rritjen e cilësisë së raportimit të performancës vendore.