Agjencia Për Mbështetjen e Vetqeverisjes Vendore

Punojmë që në gjysmën e dytë të vitit 2024 të rrisim në mënyrë domethënëse pagat e punonjësve të bashkive për të rritur kështu cilësinë e shërbimeve ndaj qytetarëve. Patjetër që në këtë përpjekje edhe bashkitë duhet të bëjnë pjesën e tyre duke siguruar një personel të kualifikuar dhe të trajnuar që ka rezultate në mbledhjen e të ardhurave dhe në trajtimin me dinjitet të qytetarëve tanë. Bashkë me kolegët e Ministrisë së Financave diskutuam edhe për përmirësimin e ndarjes së transfertave që qeveria u jep pushtetit vendor ku për herë të parë do prezantohet financimi mbi bazën e performancës. Bashkitë që kanë rezultate më të mira do të marrin më shumë para. Gjithshtu për 61 bashkitë e vendit janë pregatitur manuale orientuese “Për implementimin e strukturave dhe organikave në njësitë e vetëqeverisjes vendore”, sipas grupimit që i përket secila bashki në varësi të numrit të popullsisë. Qëllimi themelor është përmirësimi i efektivitetit të qeverisjes vendore në ushtrimin e funksioneve dhe ofrimin e shërbimeve publike, duke integruar bashkërisht një sërë hapash konkretë në avancimin e mëtejshëm të kësaj iniciative të përbashkët. Manualet qartësojnë funksionimin e njësive të vetëqeverisjes vendore, duke kryer një ndarje solide ndërmjet strukturave, të cilat hartojnë politika dhe strukturave që i zbatojnë ato. Në këto materiale shpjegohet organizimi i strukturave në mënyrë të përgjithshme duke bërë një përshkrim të shkurtër të detyrave funksionale dhe përgjegjësive ligjore.