Praktikat e Mira 2020 - Aplikimet nga bashkitë


Pas Reformës Administrative Territoriale (RAT), 61 Bashkitë e vendit kanë funksionuar mbi bazën e territoreve më të mëdha e popullsive të shtuara. Ligji i ri organik dhe procesi i decentralizimit sollën mundësi dhe sfida të reja për Bashkitë, të cilat bënë përpjekje për të përballuar dhe gjetur zgjidhje në mënyrë të organizuar ose edhe individualisht.
Historiku
Një vit pas rikonstituimit të bashkive të reja, nën drejtimin e Ministrit të Shtetit për Çështjet Vendore me mbështetjen e DLDP (Projekt i mbështetur nga Agjensia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim SDC) u konsiderua me vlerë të shihej ecuria e tyre në këtë kuadër të ri. Konkursi Kombëtar i Praktikave të Mira të Bashkive (KPMB) u zhvillua në periudhën Gusht – Dhjetor 2016, duke vendosur një qasje origjinale ndaj punës së qeverisjes vendore, duke nxitur angazhimin profesional të kapaciteteve vendore dhe duke vlerësuar e mbështetur administratat vendore më të suksesshme. Ky aktivitet u organizuar edhe për vitin 2017 dhe 2018 duke synuar të dokumentojë zhvillimet në nivel vendor dhe angazhimin e Bashkive në konsolidimin e Reformës Administrative Territoriale dhe strategjisë së decentralizimit.
Ministria e Brendshme dhe DLDP filluan organizimin e konkursit për projektin / praktikat më të mira të zhvilluara nga Bashkitë, në të gjitha fushat e veprimtarisë së tyre. Në vitin 2018 ky konkurs i transferohet AMVV (Agjencia për Mbështetjen e Vetqeverisjes Vendore), e cila udhëheq dhe menaxhon procesin nga viti në vit. KMP 2020 vjen si përpjekje e përbashkët e Ministrisë së Brendshme dhe AMVV me mbështetjen e Qeverisë Zvicerane nëpërmjet projektit Bashki të Forta.
Objektivat e Konkurimit të praktikave më të mira janë:
Të njohë e të vlerësojë praktikat më të mira të bashkive të vendit në fusha prioritare të veprimtarisë së tyre (grupimi sipas 4 kategorive të përcakuara).
Të promovojë inovacione në ushtrimin e funksioneve.
Të nxisë ndërveprimin në rrafsh vendor, rajonal e kombëtar për shkëmbimin e praktikave të mira si kontribut në procesin e decentralizmit.