Faza e Replikimit, 2021 – 2022

Zhvillimi ose evolucioni i Konkursit të Praktikave të Mira (KPM) në vite, evidenton dy karakteristika thelbësore (i) është një instrument që nxit inovacion dhe ndërveprim mes autoriteteve vendore dhe qëndrore (përfshi komunitetin e donatorëve), (ii) një platformë menaxhimi të njohurive, që mundëson dokumentimin dhe shkëmbimin e informacionit nga bashkitë mbi praktika dhe nisma të NJVV në fusha të administrimit dhe menaxhimit të funksioneve të vetëqeverisjes vendore.

Për të kapitalizuar njohuritë dhe informacionin e ndarë gjatë eventeve të KPM, edicioni 2020, është propozuar dhe diskutuar, përgjatë vitit 2021, përqasja për fazën e replikimit të konkursit me Ministrinë e Brendshme, Agjencinë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Venddore (AMVV), Shoqatat e Vendorëse dhe Bashki të Forta (BtF)/Ambasada e Zvicrës. Kjo fazë do të mundësojë sjelljen (rifreskimin) e praktikave të mira për bashkitë pjesëmarrëse dhe jo pjesëmarrëse në edicion, njohjen më të thellë rreth tyre dhe zbatimin (replikimin) e praktikave të përzgjedhura në bashki të tjera (duke mbyllur në këtë mënyrë ciklin e konkursit dhe duke siguruar arritjen e qëllimit kryesor të këtij instrumenti). Faza e replikimit pritet të zbatohet në periudhën Nëntor 2021- Qershor 2022 nën drejtimin e AMVV dhe me mbështetjen e projektit BtF.

 

Vështrim historik

KPM i ka fillimet e veta në vitin 2010 por i organizuar në një nivel lokal, me pjesëmarrjen e bashkive të dy qarqeve (qarku Shkodër dhe qarku Lezhë), më pas me bashkitë e 5 qarqeve (Shkodër, Lezhë, Dibër, Durrës dhe Kukës), 2010-2015, me mbështetjen e projektit dldp (Helvetas, SDC). KPM, u organizua për herë të parë në nivel kombëtar, me pjesëmarrjen e të gjitha bashkive në vitin 2016, ndërsa në vitin 2018 dhe 2020 është organizuar në nivel kombëtar, nën drejtimin e Ministrisë së Brendshme dhe AMVV dhe mbështetjen e Ambasadës  së Zvicrës.

 

Dimensionet e KPM

KPM, drejtohet nga institucionet shqiptare, MB dhe AMVV në të gjitha fazat kryesore të procesit, që përfshin lancimin, ftesat për Kryetarët e Bashkive, ngritjen e grupit të punës për konkursin, me përfaqësim nga Ministria, AMVV dhe BtF. Grupi i punës diskuton dhe miraton në parim (i) Kalendarin e konkursit për edicionin e radhës, (ii) Udhëzuesin e konkursit, dhe (iii) Formën e aplikimit.

Elementët inovativë që sjell praktika, jo vetëm nëpërmjet përdorimit të mjeteve inovative dhe teknologjisë së informacionit, për ofrimin e zgjidhjeve dhe aplikimit të sistemeve të reja për shërbime më të mira publike.

Instrument që inkurajon ndërveprimin në nivel lokal, rajonal dhe kombëtar me institucione të ndryshme qëndrore, shoqatat e vetëqeverisjes vendore, shoqërinë civile dhe universitetet.

Orientim  nga qytetarët mbi bazën e konsultimit dhe vëzhgimeve për të tërhequr mendimin mbi shërbimin më të mirë të ofruar nga bashkia, dhe ofrimin e votimit online (aplikuar në KPM 2020).

Tendeca në rritje e pjesëmarrjes së bashkive në tre edicionet e fundit. Numri i aplikimeve ka qenë me rritje në tre edicionet e fundit: KMP 2017 (38 aplikime), KPM 2018 (41 aplikime) dhe KPM 2020 (64 aplikime; 39 bashki)

Udhëzuesi i KPM është dokumenti kryesor, i cili përmban informacion mbi kategoritë e aplikimeve, fushat potenciale brenda kategorive, kriteret e vlerësimit dhe pikët sipas kritereve, instruksione mbi procesin dhe afatet e dorëzimit të aplikimeve. Përmbajtja e udhëzuesit është përmirësuar në mnëyrë të vazhdueshme duke theksuar (i) koherencësn që praktikat duhet të demonstrojnë me planin e zhvillimit vendor, dokumentat strategjike për reformën e decentralizimit dhe vetëqeverisjen vendore dhe politikat sektoriale (ii) përmbushjen e standarteve / kërkesave ligjore për ofrimin e shërbimeve publike, (iii) procesin e konsultimit me qytetarët, (iv) monitorimin e procesit dhe (v) kostimin e praktikës.

Juritë e konkursit me përfaqësim nga ekspertë të fushave respektive në ministritë e linjave, institucionet qendrore, universitetet, shoqatët e qeverisjes vendore, shoqëria civile dhe media.

Platforma digjitale (http://praktikatemira.qeverisjavendore.gov.al/) ofron informacion të plotë për bashkitë mbi procesi, siguron akses në udhëzuesin, dhe formën e aplikimit,  dhe mundësi për pyetje (help desk i ofruar nga AMVV). Platforma digjitale mundësoi ngarkimin e formës së aplikimit të bashkisë dhe dërgimin online.

 

Vizioni  Konkursit (KPM)

“Platformë menaxhimi e njohurive për qeverisjen e mirë demokratike në nivel vendor”

Objektivat e konkursit

  • Të njohë dhe vlerësojë praktikën më të mirë të bashkisë (nivel ekzekutiv dhe legjislativ)
  • Të nxitë inovacionin në fusha të ndryshme.
  • Të inkurajojë ndërveprimin në nivel lokal, rajonal dhe kombëtar për ofrimin e shërbimeve më të mira publike për qytetarët.
  • Të ofrojë informacion në zbatimin e përpjekjeve reformuese të qeverisjes vendore dhe zhvillimit të kapaciteteve të administratës vendore nëpërmjet një përqasjeje nga poshtë-lart në fushën e decentralizimit dhe demokracisë vendore.

 

KPM – Faza e Replikimit

Me qëllim forcimin e mëtejshëm institucional dhe zbatimin e përgjegjësive në ekzekutimin e funksioneve të vetëqeverisjes vendore dhe në kontekstin e reformave për decentralizim dhe qeverisje vendore dhe të politikave sektoriale, si për institucionet qendrore dhe ato vendore, Konkursi është parë si Platformë menaxhimi të njohurive për qeverisjen e mirë demokratike në nivel vendor.

Replikimi i konkursit do të zhvillohet në disa faza.

Faza e parë (Nëntor, java 1): MB njofton Kryetarët e Bashkive për fillimin e procesit të fazës së replikimit të KPM 2020 dhe sensibilizon përmes një fushate në mediat sociale mbi hapat që do të ndjekë procesi i replikimit.

Faza e dytë (Nëntor, java 2): Sesion informimi që do të zhvillohet në Tiranë. Në një event kombëtar, Ministria e Brendshme/AMVV, me mbështetjen e Ambasadës, do të grupojë praktikat më të mira të përzgjedhura në dy edicione për t’u replikuar; informacion do të jepet për pjesëmarrësit mbi procesin e replikimit nga vetë bashkitë. Ftohen të marrin pjesë stafe teknike të ekipeve të interesuar për të replikuar këto praktika. Bëhet përzgjedhja paraprake e praktikave që do të replikohen në vijim.

Faza e tretë (Nëntor, Java 3): Praktikat e përzgjedhura nga pjesëmarrësit në evenin kombëtar u bëhen me dije Kryetarëve të Bashkive/Këshillave përmes AMVV. Nxitje nga MB përmes kanaleve të ndryshme. Pritet rritja e dukshmërisë së procesit në këtë fazë nga MB (përtej fushatës në fb).

Faza e katërt (Nëntor, Java 4): Finalizohet lista e praktikave më të mira për t’u replikuar përmes shprehjes së interesit nga Kryetarët e Bashkive (reflektuar edhe në Buxhetin 2022).

Faza e pestë (dhjetor 2021/janar 2022): harmonizimi i praktikës me draft buxhetin e bashkisë. Dokumentimi i thelluar i praktikës për t’u bërë gati për zbatim nga grupet e ekspertëve. Ngritja e grupeve të ekspertëve sipas praktikave të përzgjedhura për replikim (potencialisht në përbërje të këtyre ekkipeve janë ekspertë të Ministrive të Linjave që shërbejnë edhe si pika fokale për decentralizimin, ekspertë të jashtëm nëse do të jetë nevojë, ekspertë të AMVV, ekspertë të bashkisë që zotëron praktikëb). Nënshkrimi i marrëveshjeve të binjakëzimit mes bashkisë, që e zotërojnë praktikën dhe bashkive partnere përfituese.

Një kalendar i detajuar hartohet për aktivitetetet që lidhen me vizitat në terren, dokumentimin e praktikave dhe ngritjen e grupeve të punës nga bashkitë për replikimin e praktikave në bashkitë e tyre.

Çfarë ofrohet për bashkitë që hyjnë në marrëdhënie bashkëpunimi?

MB/AMVV në partnerit me BtF, projekt i Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri zbatuar nga Helvetas ofron:

  • Asistencë teknike për replikimin e praktikës
  • Mbështetje logjistike për procesin e shkëmbimit
  • Negocim dhe mbështetje për zgjidhjen e problematikave që burojnë nga niveli nacional
  • Vizibilitet publik për arritjet e bashkive dhe një çmim finanaciar për “partneriteti më të suksesshme”