Takimi i parë i punës për hapjen e praktikës së mirë menaxhimi i mbetjeve

U zhvillua dje në Lezhë takimi i parë i punës për hapjen e praktikës së mirë menaxhimi i mbetjeve, ndërmjet bashkisë Lezhë dhe bashkive që kanë shfaqur interes për zbatimin e kësaj praktike. Në këtë proces janë përfshirë bashkitë: Durrës, Has, Gjirokastër, Libohovë, Përmet, Bulqizë dhe Tropojë.
Në kuadër të përhapjes së praktikave të mira, në javët në vazhdim do të zhvillohen takimet në bashkinë Dimal për praktiktën “Rritja e të ardhurave vendore nëpërmjet sistemit informatik” (e-bashkia) dhe në bashkinë Has për praktikën “Krijimi i grupeve vullnetare në funksion të mbrojtjes civile”.
Agjencia për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore, me mbështetjen e projektit Bashki të Forta ka iniciuar procesin e replikimit të praktikave të mira, për të krijuar një mekanizëm zhvillues, me qëllim përmirësimin e shërbimeve të ofruara tek qytetarët nga njësitë e vetëqeverisjes vendore. Praktika për menaxhimin e mbetjeve është përmirësuar me plotësimin e dokumentacionit me ndihmën e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit.
Drejtori i përgjithshëm i Agjencisë z. Enea Hoti, inkurajoi bashkitë pjesëmarrëse dhe garantoi mbështetjen e mëtejshme të stafit të agjencisë për ecurinë dhe mbarëvajtjen e procesit.
AMVV do të nxitë dhe promovojë shkëmbimin e eksperiencave dhe bashkëpunimin ndërbashkiak, për të mundësuar përmirësimin e shërbimeve në njësitë e vetëqeverisjes vendore.