Agjencia për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore është një institucion në varësi të Ministrisë së Brendshme. Misioni i Agjencisë konsiston në një përqasje gjithëpërfshirëse ndaj procesit te decentralizimit dhe forcimit të qeverisjes vendore në përputhje me parimet e Kartës Evropiane për Vetëqeverisjen Vendore. Agjencia është e përfshirë në propozimin dhe përmirësimin e akteve ligjore dhe nënligjore që impaktojnë drejtpërdrejtë, shërbimet dhe kompetencat e çështjeve vendore. AMVV është një institucion qendror koordinues në mbështetje te qeverisjes vendore për zgjidhjen e problematikave dhe vështirësive që shfaqen gjatë ushtrimit të funksioneve prej tyre. Gjithashtu ajo ka për detyrë të evidentojë dhe përgjithësojë praktika të veçanta të suksesshme nga njësi të veçanta të qeverisjes vendore. Ndërkohe ajo shërben si hallkë ndërmjetëse midis qeverisjes qendrore dhe asaj vendore për përmirësimin dhe pasurimin e legjislacionit në funksion të rritjes së nivelit të shërbimeve që ju ofrohen komuniteteve.

Në këtë funksion AMVV kryen edhe detyrën e sekretariatit teknik të Këshillit Konsultativ, ndërmjet Qeverisjes Qendrore me Vetëqeverisjen Vendore, një organizëm që ka për funksion të konsultojë akte, strategji të qeverisjes qendrore që afektojnë vetëqeverisjen vendore, risi që ka bërë të mundur përfshirjen e njësive të vetëqeverisjes vendore në diskutimet me vendim-marrësit me qëllim përafrimin sa më të mirë të vendim-marrjes me hapësirat për zgjidhjen e problemeve dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve.

Agjencia luan një rol shumë të rëndësishëm në koordinimin e projekteve të financuara nga donatorë të huaj dhe qeveria shqiptare në nivelin vendor, me qëllim rritjen e efikasitetit të përfundimeve apo rekomandimeve që dalin nga realizimi i këtyre projekteve. Në fokusin e AMVV është mbështetja dhe pjesëmarrja në projekte që synojnë përqasjen e metodave të qeverisjes vendore me standartet më të mira evropiane, si një komponent i rëndësishëm i procesit të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian. Me iniciativën e Agjencisë ose nën kujdesin e saj janë në proces përfundimi ngritja dhe funksionimi i zyrave me një ndalesë (OSSH), të cilat përmirësojnë ndjeshëm nivelin e shërbimeve ndaj qytetarëve dhe unifikojnë praktikat në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.

Një vëmendje të veçantë, Agjencia i kushton konsolidimit të proceseve të realizuara të decentralizimit në kuadër të Strategjisë për Decentralizimin dhe Qeverisjen Vendore 2015-2020. Për këtë qëllim nga ana jonë janë organizuar takime, trajnime, seminare dhe konferenca me synim evidentimin e arritjeve dhe rritjen e aftësisë të punonjësve të bashkive për konsolidimin e ushtrimit të funksioneve të decentralizuara.

Për realizimin e misionit të saj, AMVV është në kontakt të vazhdueshëm me drejtuesit dhe stafet e Njësive të Qeverisjes Vendore si dhe të institucioneve të ndryshme të qeverisjes qendrore, me synim mbështetjen e tyre për adresimin e të gjitha problematikave dhe sfidave në ushtrimin e funksioneve dhe kompetencave qeverisëse.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *