Negociatori

Me VKM nr.749/2018 “Për ngritjen, organizimin dhe funksionimin e strukturës shtetërore përgjegjëse për zhvillimin e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian1dhe VKM nr. 746/2021 “Për disa ndryshime në VKM Nr.422, dt. 6.5.2020 “Për përbërjen, funksionimin dhe trajtimin financiar të Grupit të Negociatorëve dhe Detyrat e Kryenegociatorit për zhvillimin e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian”, është caktuar Zëvendësministri i Brendshëm (ZMB) si Negociatori Kombëtar për Kapitullin 22.

Negociatori Kombëtar për Kapitullin 22 është znj. Romina Kuko, e cila mban postin e zv. Ministres së Brendshme që nga 9 Tetori 2017. Znj. Kuko vjen nga një eksperiencë e gjatë në Administratën Publike dhe Organizatat Ndërkombëtare me fushë ekspertize në sektorin e sigurisë, specifikisht Policimin në Komunitet, Dhunën në Familje dhe Parandalimin dhe Luftën Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm.

Ajo ka kryer studimet Bachelor për Psikologji në Universitetin e Shefildit ku është diplomuar me titullin Honours, gjithashtu mban titullin Master Shkencor në Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci si dhe ka një serë diplomash dhe certifikimesh nga institucione prestigjoze si Shkolla e Studimeve Politike të Këshillit të Europës, ODIHR, Qendra Demokratike e Forcave të Armatosura në Gjenevë (DCAF) si dhe nga Akademia e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar.

Ajo e ka nisur karrierën e saj në vitin 2006 pranë Ministrisë së Mbrojtjes, në Drejtorinë e Integrimit Euro-Atlantik ku ka qenë Desk-Officer për Europën Qendrore dhe Europën Juglindore.

Që prej vitit 2010 ajo ka punuar në Departamentin e Bashkëpunimit për Çështjet e Sigurisë në Prezencën e OSBE në Shqipëri, ku spikat puna e saj si Menaxhere e Fushatës Kundër Dhunës në Familje, zbatimi i projekteve në fushën e Policimit në Komunitet dhe gjithashtu zbatimit të Rezolutës 1325 të OKB për çështjet gjinore në sektorin e sigurisë.

Në tre vitet e fundit ajo ka mbuluar portofolin e Angazhimit qytetar kundër Ekstremizmit të Dhunshëm.

Romina Kuko është njohëse e mirë e 4 gjuhëve të huaja dhe është autore e disa artikujve akademikë të botuara brenda dhe jashtë vendit.